Marrëveshja Rankoviq-Tito për “çarmatosje” e dëbim të shqiptarëve

“Së pari e njoftova Titon dhe më pastaj, në mbledhje e informova edhe sekretariatin e Komitetit Ekzekutiv. Lidhur me aksionin, pajtueshmëria ishte e plotë. Tito na i zuri për të madhe se pse armët nuk ishin mbledhur më herët! Në linjën ushtarake, gjenerali Ivan Goshnjak (1909 – 1980) jo vetëm që e konfirmoi vlerësimin e tillë të situatës në Kosovë, por ai aty i paraqiti edhe të dhënat e tij (të dhënat e KOS-it – S. L.). Unë i sqarova vonesat lidhur me motivet politike, sikurse dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve, pasi ata në fakt kurrë nuk janë shkëputur me dëshirë prej armëve!”, dëshmon Aleksandar Rankoviq në “Shënime ditore”.

Libri i Aleksandar Rankoviqit, “Shënimet ditore”, i botuar në vitin 2002, fragmente të të cilit janë të përkthyera dhe përdorura në këtë artikull, sipas dëshmive të botuesit janë shënime të mbajtura duke filluar menjëherë pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve dhe ato janë shkruar me dorë në shkrimin latin! Midis tjerash, Aleksandar Rankoviq në libër e ka shpalosur edhe bisedën që ai e ka pasur me Jopis Broz Titon (1892 – 1980) lidhur me “Aksionin e mbledhjes së armëve” në Kosovë, duke e potencuar se megjithatë, vendimi për ndërmarrjen e aksionit ishte sjellë në forumet politike të Serbisë, gjë që sikur bëhet me dije se kreu shtetëror jugosllav ishte anashkaluar, por megjithatë, duke u mbështetur në materialet e qasshme arkivore, realiteti i Kosovës së nënshtruar të viteve të pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta të shekullit XX, është paksa më ndryshe prej atij që në fakt e paraqet zbatuesi i “Aksionit të mbledhjes së armëve”.

“Lidhur me aksionin mua më informuan Sllobodan Peneziq-Kërcuni (1918 – 1964) Jovan Veselinovi (1906 – 1982) dhe Petar Stamboliqi (1912 – 2007) dhe më propozuan që për vendimin e tyre ta njoftoja Titon dhe shokët tjerë”, ka shkruar Rankoviq, gjë që është pak për t’u besuar, sepse ai me çdo kusht, sikur në dokumentin e pjesës së parë të artikullit, nuk e ka vendosur veten si nismëtar të kësaj ndërmarrjeje, siç edhe do të dëshmohet më vonë! Më tej ai ka shkruar se Titoja është informuar para se të niste aksioni në Kosovë.

“Së pari e njoftova Titon dhe më pastaj, në mbledhje e informova edhe sekretariatin e Komitetit Ekzekutiv. Lidhur me aksionin, pajtueshmëria ishte e plotë. Tito na i zuri për të madhe se pse armët nuk ishin mbledhur më herët! Në linjën ushtarake, gjenerali Ivan Goshnjak (1909 – 1980) jo vetëm që e konfirmoi vlerësimin e tillë të situatës në Kosovë, por ai aty i paraqiti edhe të dhënat e tij (të dhënat e KOS-it – S. L.). Unë i sqarova vonesat lidhur me motivet politike, sikurse dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve, pasi ata në fakt kurrë nuk janë shkëputur me dëshirë prej armëve! Kjo ndjeshmëri e lidhur me armët te shqiptarët ishte rrënjosur qysh nga shtypja kombëtare që ata e kishin përjetuar në Jugosllavinë e vjetër, nga koha kur borgjezia serbomadhe kishte ushtruar dhunë mbi popullatën shqiptare! Prandaj, të gjitha ato rrethana duhej të ishin prezente në zbatimin e “Aksionit të mbledhjes së armëve” dhe në radhë të parë duhej veçuar armiqtë e armatosur prej qytetarëve tjerë shqiptarë, serbë dhe malazezë. Me këto vërejtje ky aksion i është besuar UDB –së, republikës (Serbisë) dhe asaj krahinore (Kosovës) me një përkrahje të plotë politike dhe bashkëpunimi me organizatat shoqëroro – politike”, ka dëshmuar Rankoviq. Ndërsa ne duhet të kujtojmë se sipas statistikës zyrtare në vitet e pasluftës “numri i shqiptarëve të punësuar në Shërbimin e Brendshëm të Sigurisë në Kosovë ishte vetëm 13,33 për qind, i malazezëve 28,34 për qind ndërsa i serbëve 58,3 për qind”.

Visited 66 times, 1 visit(s) today

Leave a Comment