Dy persona ndodhen në paraburgim nën dyshimin se ndihmuan Faton Hajrizin pas arratisjes. Një burrë me incialet E.B., dhe gruaja me inicialet H.Xh., po dyshohet se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, por në çfarë forme dyshohet se i ofruan ndihmë ata Faton Hajrizit? Gazeta Express sjell detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës lidhur me këtë rast.
E pandehura H.Xh., ka deklaruar se “hera e fundit që ka pas kontakt me Faton Hajrizin ka qenë dy ditë para se të ndodhte rasti në Serbi”.
Për të pandehurin E.B., ekziston dyshimi se “me 6 korrik me dashje ndihmon personin e arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, Faton Hajrizi, me qëllim të shmangies nga zbulimi dhe arrestimi i tij, në atë mënyrë që i njëjti kërkon nga dëshmitari (NN), që të blejë një numër të telefonit, ku si rezultat i kësaj e blen numrin e telefonit dhe të njëjtin ia jep të pandehurit, e të cilin numër i pandehuri ia jep personit të arratisur (Fatonit), dhe pas kësaj prap i pandehuri E.B., me datë 18 korrik i kërkon dëshmitarit që ta tërheq nga edhe një kartelë të re për këtë numër, me arsyetimin se i ka humbur kartela dhe pasi që dëshmitari e tërheq kartelën e re, ia jep të pandehurit E.B., të cilën kartelë ia jep prap të arratisurit Faton në shfrytëzim përgjatë gjithë kohës sa është në arrati, duke i dhënë mundësi të pandehurit që të komunikojë fshehtë dhe të fshehë identitetin e tij, në këtë mënyrë duke e penguar Policinë e Kosovës, në zbulimin dhe arrestimin e tij”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Në këtë kërkesë, thuhet se “një tjetër dëshmitar, një punëtor në një kafiteri në rrugën Mitovicë-Vushtrri, pas mesnatës më 6 korrik, pasi ka dalë në tarasë, një person ia ka kërkuar telefonin me arsyetimin se ka pas aksident dhe të njëjti ia ka dhënë telefonin dhe thotë se i njëjti ka kontaktuar me një person dhe nga ai numër ka kërkuar që ta marrë pranë lokalit dhe të njëjtin thotë se e ka parë kur ka hipur në veturë …”
Sipas prokurorisë ekzistojnë video-incizimet që më 6 korrik rreth orës 3 të mëngjesit e pandehura arrinë para lokalit dhe i arratisuri Faton Hajrizi futet në automjetin e saj.
Tutje, prokuroria ka theksuar se “e pandehura H.Xh., në deklaratën e dhënë në Polici me datën 21 korrik, thotë se me datën 6 korrik derisa ka qenë duke fjetur një numër thotë se e ka kontaktuar disa herë, por nuk e ka hapur dhe pastaj ka pranuar një mesazh me fjalët “Fatoni jom”, dhe pastaj ka kontaktuar me të dhe i ka thënë “vishu hajde merrem tek lokali”. E pandehura thotë se pastaj e ka marrë veturën e saj dhe ka vazhduar të shkojë ku edhe e ka marrë Fatonin…”